Shoqata e Filozofëve të Kosovës dhe Departamenti i Filozofisë – Universiteti i Prishtinës, me mbështetjen e Fakulteti Filozofik – Universiteti i Prishtinës, më 20 nëntor shënuan Ditën Botërore të Filozofisë përmes punimeve të Konferencës së XVI Ndërkombëtare me titull “Njeriu i së ardhmes”.
Në këtë konferencë morën pjesë studiues dhe filozofë vendorë e ndërkombëtarë, të cilët kontribuuan me kumtesa dhe diskutime gjatë gjithë ditës.
Konferenca u hap me fjalë përshëndetëse nga Kryetarja e Bordit Organizativ të konferencës, Hasnije Ilazi; Shefi i Departamentit të Filozofisë, Valon Leci; Dekani i Fakultetit Filozofik, Bekim Baliqi; si dhe Rektori i Universiteti i Prishtinës, Arben Hajrullahu.
Punimet e konferencës u hapën nga profesor emeritus Gregory Claeys nga University of London, me ligjëratën “The Future Dystopia and How to Survive It”.
Gjatë ditës u zhvilluan diskutime në katër panele tematike, ku morën pjesë studiuesit Hasnije Ilazi, Joanna Mysona Byrska, Barbara Zmuda-Frydrychowska, Jakub Synowiec, Taulant Gashi, Nehat Sadiku, Luka Janes, Labinot Kelmendi, Toma Gruica dhe Albnor Sejdiu.
Konferenca u përmbyll nga akademiku Muhamedin Kullashi me ligjëratën “Dimensioni i së ardhmes te njeriu sipas Nietzsche”.
Shoqata e Filozofëve të Kosovës dhe Departamenti i Filozofisë falënderuan të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët që kontribuuan në realizimin e këtij eventi të suksesshëm shkencor.


