Shoqata e Filozofëve të Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Filozofisë, UP ka përmbyllur me sukses të plotë Konferencën e XV-të Ndërkombëtare në shënim të Ditës Botërore të Filozofisë.

Ky organizim madhor shënoi edhe përmbylljen e “Vitit të Kantit”, një nismë e shpallur nga Shoqata dhe Departamenti, e cila pati për qëllim thellimin e reflektimit mbi ndikimin e mendimit kantian dhe rëndësinë e tij në zhvillimin e filozofisë moderne.

Konferenca mblodhi së bashku filozofë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, personalitete të shquara vendore dhe ndërkombëtare, të cilët kontribuuan me kumtesa të vyera që prekën dimensione të ndryshme të filozofisë, përfshirë filozofinë politike, filozofinë e së drejtës, teologjinë, metafizikën, etikën dhe estetikën.

Me temën e titulluar “Kanti në 300: Rishqyrtimi i themeleve të filozofisë moderne dhe iluminizmit”, kjo ngjarje ofroi një hapësirë të veçantë për diskutime të thelluara mbi ndikimin e Kantit në trashëgiminë e mendimit filozofik.

Pa dyshim, përmbajtja e konferencës u pasurua nga pjesëmarrja aktive e audiencës me pyetje dhe mendime, e cila kontribuoi në diskutime frytdhënëse dhe shkëmbime idesh të dobishme.

Momente të veçanta të ngjarjes ishin fjalët përshëndetëse nga Kryetarja e Bordit Organizativ, Prof. Asoc. Dr. Hasnije Ilazi, nga kryetari i Shoqatës së Filozofëve të Kosovës, MA. Ridvan Emini PhD cand., nga shefi i Departamentit të Filozofisë, Prof. Ass. Dr. Valon Leci, nga dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Bekim Baliqi, nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Arben Hajrullahu si dhe nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, z. Joern Rohde, duke nënvizuar rëndësinë e ngjarjeve të tilla, të filozofisë së Kantit dhe filozofisë përgjithësisht.

Shoqata dhe Departamenti i Filozofisë mbeten të përkushtuara që edhe më tutje të organizojnë ngjarje të tilla filozofike sikurse edhe studime cilësore në fushën e filozofisë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *